
Mandatari i VV-së përballet me refuzime nga pothuajse të gjitha partitë. Sot zbardhet nëse do të ketë “Kurti 3” ose mandati kalon te një subjekt tjetër politik.
Sot në orën 10:00 është thirrur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Mandatar për kryeministër është Albin Kurti, pasi Lëvizja Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Për të krijuar qeverinë, Kurti duhet të sigurojë të paktën 61 vota nga deputetët e legjislaturës së nëntë. Vetë ai ka 48 mandate dhe mund të mbështetet në disa vota nga komunitetet joshumicë. Deri tani nuk është bërë publik asnjë koalicion, ndërsa nuk dihet nëse ai do të arrijë të fitojë mandatin e tretë si kryeministër.
Partitë e mëdha opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar hapur se nuk do të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen. “Dera” e bashkëqeverisjes i është mbyllur Kurtit thuajse nga të gjithë, përveç Nismës Socialdemokrate, e cila ka lënë hapur mundësinë e një koalicioni por vetëm nëse ndryshon pozita e kryetarit të Kuvendit.
Atmosfera politike para seancës shihet mjaft e tensionuar. Edhe vetë Kurti ka pranuar se nuk është e lehtë të formohet qeveria e re, duke thënë se “është helmuar shumë atmosfera” dhe se skena politike po ndikohet nga xhelozia dhe inati.
Kryesia e Vetëvendosjes është mbledhur mbrëmë vonë, ndërsa partitë e ish-opozitës që kanë fuqinë e numrave për ta ndalur Kurtin, mbeten të vendosura në qëndrimin e tyre kundër.
Kurtit pretendohet se i ka ofruar Nismës një paketë me një ministri, dy zëvendësministra dhe pozitën e nënkryetarit të Kuvendit. Por ky version nuk u konfirmua nga Nisma. Deputetja Arbëreshë Krasniqi tha se nuk ka pasur biseda të tilla dhe se Kurti nuk u është përgjigjur kërkesave zyrtare të partisë, ndër të cilat përfshihet lëvizja nga pozita e kryetarit të Kuvendit.
Sipas Kushtetutës, nëse mandatarit të parë i dështojnë votat, Presidentja ka afat dhjetë ditë për të propozuar një mandatar të dytë. Kandidati mund të vijë nga një subjekt tjetër politik që arrin të sigurojë shumicën.
Në rast të dështimit të Kurtit, Partia Demokratike e Kosovës, me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër dhe 24 mandate, ka shprehur gatishmëri për të marrë përgjegjësinë e qeverisjes. Mirëpo një qeveri opozitare shihet si jashtëzakonisht e vështirë për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm.
Nga salla plenare sot pritet të dalë përgjigjja që ka mbajtur vendin të paralizuar politikisht për muaj të tërë. Pa 61 vota, nuk ka “Kurti 3”. Deputetët do të vendosin nëse shumica parlamentare do të bashkohet rreth Lëvizjes Vetëvendosje, apo Kosova do të hyjë në një kapitull të ri politik me një kandidat tjetër.



