
Shtetet e Bashkuara kanë nisur një ofensivë të gjerë ushtarake kundër Iranit, pasi Teherani sulmoi një anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe shpalli mbylljen e kësaj rruge strategjike detare.
Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, deklaroi se Irani “bëri zgjedhjen e gabuar” dhe se “tani do ta paguajë”.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), forcat amerikane goditën 140 objektiva, përfshirë baza raketore dhe dronësh, mjete detare, depo municionesh, rrjete komunikimi dhe pozicione mbikëqyrjeje. Ushtria amerikane tha se që nga 6 korriku janë goditur mbi 300 objektiva iraniane.
Operacioni erdhi pasi Marina e Gardës Revolucionare Islamike sulmoi anijen transportuese M/V GFS Galaxy në Ngushticën e Hormuzit. Një anëtar i ekuipazhit rezulton i zhdukur, ndërsa anija pësoi dëme të mëdha.
Pas sulmeve amerikane, Irani nisi kundërsulme ndaj aleatëve të SHBA-së në Lindjen e Mesme. Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan sulme me raketa dhe dronë, ndërsa sulme u raportuan edhe ndaj bazës ajrore Prince Hassan në Jordani. Katari njoftoi se mbrojtja ajrore interceptoi raketa iraniane, ndërsa alarmet u aktivizuan edhe në Bahrein.
Në të njëjtën kohë, autoritetet iraniane njoftuan se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë, duke paralajmëruar se asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë derisa të përfundojnë, sipas tyre, ndërhyrjet amerikane në rajon.



