
Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar ndalimin e përdorimit të vajit të palmës në fabrikat e përpunimit të qumështit, duke vlerësuar se kjo praktikë po dëmton prodhimin vendor, fermerët dhe konsumatorët.
Në një reagim publik, Shoqata thekson se përdorimi i vajit të palmës po ndikon në mbylljen e fermave vendore, po dëmton shëndetin e konsumatorëve dhe po e zbeh efektin e skemave mbështetëse të Qeverisë për sektorin e qumështit.
Sipas tyre, produktet e prodhuara me vaj palme dhe qumësht pluhur po dëmtojnë rëndë edhe imazhin e produkteve vendore.
Shoqata ka paraqitur edhe disa kërkesa, duke kërkuar që:
- të ndalohet përdorimi i vajit të palmës në fabrikat e përpunimit të qumështit;
- qumështi i fermerëve të grumbullohet në çdo cep të Kosovës;
- çmimi i qumështit për fermerët të rikthehet në nivelin e mëparshëm;
- të ndalen reduktimet e grumbullimit të qumështit pa arsye madhore;
- t’u jepet fund vonesave të pagesave ndaj fermerëve, të cilat sipas Shoqatës zgjasin nga tre deri në gjashtë muaj.



