
Sipas hulumtimit të realizuar nga UBO Consulting dhe siguruar nga ORAinfo, kandidati i LDK-së, Imri Ahmeti, gëzon epërsi të madhe ndaj kundërkandidatëve në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Një sondazh i fundit i realizuar nga UBO Consulting, të cilin e posedon portali ORAinfo dhe që është konfirmuar zyrtarisht nga vet kompania, tregon se kryetari aktual i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, pritet të sigurojë fitore që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas të dhënave të raportit, Ahmeti gëzon 58.5% të mbështetjes së qytetarëve, duke e pozicionuar atë dukshëm përpara kundërkandidatëve të tij. Kjo epërsi e konsiderueshme e vendos kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një pozitë shumë të favorshme për të fituar edhe një mandat në krye të komunës.
Në pjesën e raportit zyrtar të UBO Consulting, që ndodhet në posedim të redaksisë së ORAinfo-s, konfirmohet qartë ky rezultat, ndërsa theksohet se metodologjia e përdorur është bazuar në një kampion përfaqësues të qytetarëve të Komunës së Lipjanit.
Sondazhi është realizuar gjatë periudhës së fundit para fillimit të fushatës përfundimtare, ndërsa burime nga kompania hulumtuese kanë theksuar se të dhënat pasqyrojnë qëndrimet aktuale të elektoratit lokal në Lipjan.



