Sot në Tiranë protestohet kundër Gjykatës Speciale për ish-udhëheqësit e UÇK-së

Mbi 60 autobusë me qytetarë nga Kosova pritet të mbërrijnë në Tiranë për protestën e organizuar nga veteranët e UÇK-së; mbështetje publike ka dhënë edhe kryeministri Edi Rama.

Sot në Tiranë do të mbahet një protestë e madhe në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale në Hagë për akuza të lidhura me krime lufte.

Protesta organizohet nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ka bërë të ditur se mbi 60 autobusë do të nisen nga Kosova drejt Tiranës për të marrë pjesë në tubimin e së premtes. Sipas njoftimit zyrtar, për të lehtësuar qarkullimin dhe pjesëmarrjen, gjatë periudhës 17 tetor, ora 9:00 – 18 tetor, ora 9:00, udhëtimi në Rrugën e Kombit do të jetë pa pagesë.

Në mbështetje të protestës ka dalë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka shprehur solidaritet me ish-luftëtarët e UÇK-së dhe ka theksuar rëndësinë e respektimit të kontributit të tyre në luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Protesta pritet të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe të mbledhë pjesëmarrës nga të gjitha trevat shqiptare, si shprehje e unitetit dhe mbështetjes për figurat kryesore të UÇK-së që po përballen me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë.

Back to top button