Surroi: Para zgjedhjeve, të miratohet buxheti dhe Plani i Rritjes së BE-së

Publicisti paralajmëron rreziqet për financat publike dhe proceset integruese nëse politika nuk vepron me urgjencë.

Publicisti Veton Surroi ka reaguar për situatën institucionale në vend, duke thënë se tashmë ekziston një konsensus i përgjithshëm që Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, për shkak të pamundësisë së partive për të formuar një qeveri të re.

Në një analizë me nëntë pika, ai paralajmëron se zgjedhjet e reja nuk garantojnë zgjidhje të menjëhershme dhe se kriza aktuale politike mund të zvarritet edhe pas votimeve. Surroi thekson se partitë, përveç interesave të tyre politike, kanë obligim të mbrojnë interesat thelbësore të vendit.

Sipas tij, dy rreziqet më urgjente janë mundësia e bllokimit të financave publike dhe ngrirja e procesit të Planit të Rritjes së BE-së.

Surroi propozon që para se të shpallen zgjedhjet e reja, partitë politike duhet të arrijnë marrëveshje për miratimin e buxhetit të vitit 2026 dhe ratifikimin e marrëveshjes me BE-në për Planin e Rritjes. Ai vlerëson se buxheti mund të miratohet me ndryshime minimale dhe të rishikohet nga qeveria e ardhshme, ndërsa akti i ratifikimit të Planit të Rritjes do të tregonte konsensusin për integrimin evropian.

Ai kujton se Qeveria dhe Kuvendi aktual kanë kapacitet të plotë ligjor për të marrë këto vendime brenda kësaj jave dhe i fton akterët politikë që të trajtojnë situatën me seriozitet, duke arritur një konsensus të ri që shmang dëmet për vendin.

Back to top button