Terras “këshillon” Albin Kurtin: Trego burrështetësi për të ndërtuar një koalicion funksional dhe për të zgjedhur presidentin

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të angazhohet për krijimin e një koalicioni funksional dhe për sigurimin e zgjedhjes së presidentit të vendit, shkruan Telegrafi.

Përmes një postimi në platformën “X”, pas vizitës dhe takimeve të zhvilluara në Kosovë, Terras ka kërkuar nga Kurti që të tregojë “burrështetësi” në mënyrë që vendi të ketë institucione stabile.

banner

“E inkurajoj kryeministrin Kurti të tregojë burrështetësi për të ndërtuar një koalicion funksional dhe për të siguruar zgjedhjen e presidentit”, ka shkruar Terras.

Ai ka theksuar se stabiliteti institucional është i domosdoshëm për përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

“Kosovës i duhen institucione stabile për të avancuar në rrugën drejt BE-së”, ka shtuar raportuesi i Parlamentit Evropian.

Terras gjatë së martës ka zhvilluar një vizitë në Kosovë, ku është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.

Në një tjetër reagim në platformën “X”, raportuesi evropian ka bërë të ditur se me përfaqësuesit politikë ka diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“E ardhmja e Kosovës qëndron në Bashkimin Evropian, por anëtarësimi kërkon reforma. Ne po punojmë për këtë”, ka shkruar Terras.

Ai ka ritheksuar se perspektiva evropiane e Kosovës mbetet e lidhur me forcimin e institucioneve, zbatimin e reformave dhe avancimin e proceseve demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.