
Pas pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës dhe alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave, shërbimi i transportit publik rifillon nga sot.
Pas një greve njëjavore, Trafiku Urban ka njoftuar se nga sot do t’i rikthehet punës dhe do të rifillojë ofrimin e shërbimit të transportit publik në kryeqytet.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, rifillimi i qarkullimit u mundësua pasi Ministria e Financave nisi alokimin e mjeteve dhe Komuna e Prishtinës filloi pagesën e faturave të prapambetura.
“Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftimin e Trafikut Urban.
Për disa ditë me radhë, punëtorët e Trafikut Urban dhe transportuesve privat protestuan para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme financiare.
Kuvendi Komunal i Prishtinës, në një mbledhje të jashtëzakonshme të enjten, miratoi bartjen e të hyrave vetanake, duke i hapur rrugë pagesës së faturave ndaj transportuesve.
Nga Ministria e Financave sot është bërë alokimi i një pjese të mjeteve, në vlerë prej 2.7 milionë eurosh.




