
Publicisti thotë se rekomandimet e kryeministrit shqiptar nuk e marrin parasysh realitetin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe procesin e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja.
Publicisti Veton Surroi ka komentuar deklaratat më të fundit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Rama javën e kaluar i rekomandoi Kosovës që të përmbushë në mënyrë unilaterale të gjitha kërkesat e dialogut, duke ia “lënë topin në derë” Serbisë dhe duke u paraqitur para Evropës si palë që ka bërë gjithçka përpara nënshkrimit të Beogradit.
Surroi thotë se kjo qasje është e gabuar në të paktën tri rrafshe. Sipas tij, Kosova nuk mund ta injorojë Serbinë, sepse pikërisht me Serbinë ka sfidën kryesore të sigurisë, zhvillimit dhe pozitës ndërkombëtare. Ai shton se normalizimi ka për qëllim vendosjen e një ndërvarësie pozitive mes dy shteteve dhe se marrëdhëniet e mira nuk mund të ndërtohen pa pjesëmarrjen e dyanshme.
Rrafshi i dytë i gabimit, sipas Surroit, lidhet me formatin negociator: Kosova ka zbatuar njëanshëm marrëveshje edhe më parë, si në Rambouillet dhe Vienë, por çlirimi e pavarësia janë arritur falë intervenimit ndërkombëtar, jo kompromisit me Serbinë. “Kosova nuk mund ta bëjë Serbinë fqinje të mirë nëse ajo nuk do,” shkruan ai, duke kujtuar se marrëveshja aktuale e Brukselit–Ohrit është e ndërtuar mbi barazinë e dy shteteve sovrane dhe nuk mund të zbatohet njëanshëm.
Së treti, Surroi thekson se në procesin aktual Serbia nuk e ka pranuar me shkrim marrëveshjen, përkundër se Kosova është shprehur e gatshme ta nënshkruajë. Dhe se Serbia nuk e ka pranuar se e ka obligim ta nënshkruaj.
Në këtë situatë, Surroi kritikon faktin se BE ka vendosur masa ndëshkimore ndaj Kosovës, por jo ndaj Serbisë, edhe pas sulmit paraushtarak në Banjskë dhe bllokimit të identitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Ai kujton gjithashtu se Rama edhe më herët ka paraqitur ide që nuk kanë qenë në interes të Kosovës, si draft-statuti për komunat me shumicë serbe apo propozimi që veriu të vihej nën administrim të NATO-s. Këto, sipas tij, kanë krijuar përshtypje të rreme për zgjidhje të shpejta dhe e kanë relativizuar autoritetin ligjor të Kosovës.
Surroi citon edhe deklaratën e Ramës, i cili thotë se nuk pendohet për asgjë dhe se çdo veprim e ka bërë nga interesi i Shqipërisë. Por publicisti shton se është e pakuptimtë që interesat e Shqipërisë të bien ndesh me atë të Kosovës dhe se, të paktën, kryeministri i një shteti fqinj duhet të konsultohet paraprakisht me institucionet e Kosovës para se të bëjë deklarime publike për çështje kaq të ndjeshme.
Ai përfundon se respektimi i këtij parimi bazik ndërfqinjësor do të ishte një pikënisje e duhur për rishikimin e interesave të Shqipërisë në raport me Kosovën.



