Veton Surroi vazhdon polemikën me Bardhyl Hasanpapajn, i përgjigjet argumenteve të tij për dekretin e Presidentes Osmani

Polemika mes publicistit Veton Surroi dhe juristit Bardhyl Hasanpapaj rreth aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes Vjosa Osmani ka vazhduar me një reagim të ri të Surroit.

Pasi Hasanpapaj publikoi një sqarim në tetë pika, duke argumentuar se Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar asnjë shkelje kushtetuese nga Presidentja Osmani dhe se aktgjykimi ka konfirmuar vlerësimin e saj kushtetues, Surroi ka dalë me një kundërpërgjigje të detajuar në rrjetet sociale.

banner

Në statusin e publikuar në profilin e tij në Facebook, Surroi kundërshton interpretimin e Hasanpapajt, duke argumentuar se thelbi i debatit nuk është nëse Gjykata ka përdorur ose jo termin “shkelje kushtetuese”, por nëse ajo e ka pranuar interpretimin kushtetues mbi të cilin ishte mbështetur Presidentja Osmani.

Sipas Surroit, përgjigjja që del nga dispozitivi dhe arsyetimi i aktgjykimit është negative.

Dekreti i saj nuk u pranua si akt që mund të prodhonte pasoja në rendin kushtetues të Republikës”, ka shkruar ai.

Surroi pranon se në teorinë juridike ekziston dallim ndërmjet një akti antikushtetues dhe një akti pa efekt juridik, por argumenton se në rastin konkret mungesa e çdo efekti juridik të dekretit të Presidentes nënkupton se ai nuk mund të prodhojë asnjë nga pasojat kushtetuese për të cilat ishte nxjerrë.

Ai kundërshton edhe pretendimin e Hasanpapajt se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar premisën themelore të Presidentes Osmani.

Sipas Surroit, Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit nuk ishte konsumuar dhe pikërisht ky konstatim, sipas tij, ka rrëzuar bazën juridike mbi të cilën ishte nxjerrë dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.

“Duke konstatuar se ai kusht nuk ishte përmbushur, Gjykata rrëzoi edhe interpretimin presidencial mbi të cilin ishte mbështetur dekreti”, shkruan Surroi.

Ai shton se, megjithëse Gjykata ka përdorur terminologjinë “nuk prodhon efekt juridik”, rëndësi ka pasoja juridike e vendimit dhe jo vetëm formulimi i përdorur.

Sipas tij, aktgjykimi nuk e ratifikoi interpretimin kushtetues të Presidentes, por konstatoi se kushti kushtetues për shpërndarjen e Kuvendit nuk ishte përmbushur, refuzoi që dekreti të prodhonte efekt juridik dhe e riktheu procesin kushtetues në Kuvend.

Në reagimin e tij, Surroi vlerëson se shpërndarja e Kuvendit përbënte një ndërhyrje të rëndësishme në rendin kushtetues, pasi prekte drejtpërdrejt ekzistencën dhe vazhdimësinë e institucionit më të lartë përfaqësues të Republikës.

Debati u nxit pasi Dr. sc. Bardhyl Hasanpapaj, profesor universitar, jurist dhe analist i njohur, publikoi një reagim në tetë pika, ku argumentoi se Gjykata Kushtetuese nuk kishte konstatuar asnjë shkelje kushtetuese nga Presidentja Osmani dhe se interpretimet politike nuk mund të ndryshojnë përmbajtjen e aktgjykimit.

Hasanpapaj është gjithashtu kandidat për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), me numrin 34 në listën zgjedhore të kësaj partie.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.