Visar Ymeri: VV dështoi në kuvendet komunale

Analisti politik vlerëson se gara në Mitrovicë ishte ndër më interesantet, ndërsa thekson se Lëvizja Vetëvendosje ka pësuar rënie si organizatë lokale, pavarësisht rritjes së votës për disa kandidatë për kryetarë komunash.

Analisti politik, Visar Ymeri, ka komentuar rezultatet e zgjedhjeve lokale, duke theksuar se zhvillimet e fundit nuk përbëjnë befasi të madhe, ndonëse në disa komuna janë vërejtur lëvizje të vogla në rezultatet përfundimtare.

“Rezultatet e balotazhit nuk kanë qenë të papritura. Deri diku ka pasur lëvizje të rezultatit, afërsi mes kandidatëve, por në përgjithësi është ditë që ka me ardhë qetu,” ka deklaruar Ymeri në emisionin “VV Show”.

Ai ka veçuar garën për kryetar të Mitrovicës si një nga më interesantet të këtij procesi zgjedhor. Sipas tij, rezultatet atje kanë reflektuar edhe tensionet dhe mospërputhjet ndërmjet exit polleve dhe numërimit përfundimtar.

“Siç ka qenë edhe fushata, një prej garave më interesante ka qenë Mitrovica. Edhe në rezultat u dëshmu e tillë. Me rinumërimin e votave, po shihet që dallimi mes kandidatëve është pak më i madh sesa në rezultatet preliminare,” ka theksuar ai.

Megjithatë, Ymeri ka vlerësuar se një nga befasitë më të mëdha të këtyre zgjedhjeve është performanca e dobët e Lëvizjes Vetëvendosje në asambletë komunale, pavarësisht se në disa komuna kandidatët e saj për kryetarë kanë marrë më shumë vota.

“Befasi ka qenë performanca jashtëzakonisht e dobët e Vetëvendosjes në nivelin e kuvendeve komunale, krahas rritjes së votës për kandidatë si në Fushë Kosovë. Si parti e madhe, LVV ka dalë pak më mirë me kandidatë për kryetarë, por ka rënë si organizatë, sepse asambleja komunale varet shumë prej organizimit lokal,” ka shtuar ai.

Sipas Ymerit, rezultatet e këtyre zgjedhjeve janë një sinjal i qartë se partive politike u duhet forcim i strukturave lokale për të ruajtur ndikimin e tyre në nivel kombëtar.

Back to top button