Vjosa Osmani tregon hapin e ardhshëm nëse Albin Kurti nuk formon qeverinë

Presidentja e Kosovës thotë se do të ftojë të gjitha partitë për të parë nëse dikush mund të krijojë shumicën parlamentare, duke shtuar se zgjedhjet e jashtëzakonshme janë ende një opsion i hershëm.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar se si do të veprojë në rast se Albin Kurti nuk arrin të formojë qeverinë në seancën e planifikuar të dielën, më 26 tetor 2025. Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është caktuar të fillojë në orën 10:00 dhe do të mblidhë të gjithë deputetët.

Osmani ka bërë me dije se nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për kryeministër, ajo si presidente do të ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse dikush tjetër mund të krijojë shumicën parlamentare. “Nuk mund të parashikoj nëse seanca do të mbahet, pasi gjithçka varet nga partitë politike dhe rrjedhat politike janë shpesh të paparashikueshme”, ka thënë Osmani për DW.

Presidentja ka theksuar gjithashtu se është ende herët për të folur për zgjedhje të jashtëzakonshme. “Nëse ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Nëse s’ka marrëveshje, atëherë si presidente do t’i ftoj të gjitha partitë për të parë mundësinë që dikush tjetër të krijojë shumicën”, ka shtuar ajo.

Kuvendi i Kosovës ka bërë të ditur se seanca plenare do të mbahet të dielën në orën 10:00 në sallën e Kuvendit, sipas ftesës së Kryeparlamentarit Dimal Basha.

Back to top button