
VLEN merr kontrollin e komunave kryesore shqiptare si Çairi, Tetova dhe Struga, ndërsa BDI-ja dhe Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) humbin bastionet tradicionale, përfshirë edhe Kërçovën e Ali Ahmetit.
Zgjedhjet lokale të mbajtura dje në Maqedoninë e Veriut kanë prodhuar një tronditje të madhe në skenën politike shqiptare të vendit. Koalicioni VLEN, ka shënuar fitore të thellë dhe historike, duke marrë shumicën e komunave me rëndësi strategjike dhe simbolike për elektoratin shqiptar.
Sipas rezultateve të para zyrtare, VLEN ka fituar me diferenca të qarta në komunat Çair, Tetovë, Strugë, Dibër, Saraj, Haraçinë, Zhelinë dhe Tearcë, duke i dhënë fund dominimit më shumë se dydekadësh të BDI-së në Maqedoninë e Veriut. Këto fitore përfaqësojnë një ndryshim rrënjësor të pushtetit lokal dhe një sinjal të fortë për transformim të skenës politike shqiptare në vend.
Në anën tjetër, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), ka arritur të sigurojë fitore vetëm në Gostivar, Vrapçisht dhe Likovë, ndërsa ka pësuar një goditje të rëndë në Kërçovë, vendlindja e Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit.
Rezultatet e zgjedhjeve lokale të 2025-ës shënojnë një kthesë historike për politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Koalicioni VLEN ka marrë besimin e shumicës së votuesve shqiptarë, duke treguar se epoka e dominimit të një partie të vetme ka marrë fund, ndërsa BDI dhe pasuesit e saj përballen me nevojën e një ristrukturimi të thellë për të mbijetuar politikisht.



