
Nënkryetarja e PDK-së akuzon Kurtin për shantazh politik dhe diskriminim ndaj komunave që nuk drejtohen nga partia e tij.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas deklaratës së kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si “të paprecedent dhe kërcënuese ndaj qytetarëve të Kosovës”.
“Çfarë deklarate skandaloze nga Kryetari i VV sonte. Ai kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij në komuna, ai si Kryeministër nuk do t’i mbështesë,” ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, ky veprim nuk është befasues, pasi Kurti ka qeverisur që nga dita e parë me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk drejtohen nga partia e tij.
“Ka komuna të qeverisura nga PDK që kanë përfituar 0 euro nga buxheti i Kosovës. E megjithatë, këto janë po ato komuna që kanë kryesuar listat e organizatave të pavarura për transparencë, menaxhim të buxhetit dhe qeverisje të mirë,” ka theksuar Çitaku.
Ajo e ka quajtur “skandaloze shkallën e arrogancës dhe përbuzjes ndaj qytetarëve” që, sipas saj, tregoi Kurti në deklaratën e tij.
“A.K., ti fole sonte. Por më 9 nëntor, qytetarët do të flasin. Dhe atëherë do ta kuptosh se ky popull as nuk nënshtrohet, as nuk shantazhohet,” përfundon reagimi i Çitakut.



