
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se synon 500 mijë vota për t’ia “mbyllur shtigjet opozitës”.
Çitaku tha se është shqetësuese që fokusi i Kurtit mbetet opozita dhe jo problemet e qytetarëve.
“Albini qenka i preokupuar me ia mbyllë shtigjet opozitës. Shihjani preokupimet dhe ambiciet”, shkroi ajo.
Ajo i bëri thirrje Kurtit që të fokusohet te mirëqenia e qytetarëve.
“Albin, leje opozitën. Koncentrohu te qytetari”, deklaroi Çitaku.
Në reagimin e saj, ajo renditi disa nga problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët.
“A ke me ua hapë shtigjet qytetarëve për një jetë më të mirë? Për çmime më të ulëta? Për arsim më cilësor? Për barna për të sëmurët? Për pensione dinjitoze?”, pyeti ajo.
Çitaku përmendi edhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
“A ke me ia hapë shtigjet Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së?”, u shpreh ajo.
Në fund, Çitaku tha se këto janë “çështjet e vërteta” dhe “hallet e njerëzve”.



