VV është sekt politik” – Abdixhiku i kërkon Konjufcës të mos humbë më kohë

Kryetari i LDK-së i bën thirrje Glauk Konjufcës që të pranojë mungesën e shumicës parlamentare dhe të mos humbasë më kohë me “lojëra politike”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka ashpërsuar tonet ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e quajtur atë “sekt politik” që e sheh veten si shtet.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, Abdixhiku ka kërkuar “sinqeritet politik dhe përgjegjësi shtetërore” në këto rrethana, duke theksuar se vendi ndodhet në një krizë politike që po dëmton funksionimin institucional.

“Glauk Konjufca, si mandatar i trashëguar nga një sekt politik që veten e sheh si shtet, duhet të konstatojë realitetin politik në vend – mungesën e shumicës parlamentare – dhe në përputhje me interesin madhor të Republikës, të mos humbë asnjë ditë kohë më,” deklaroi Abdixhiku.

Ai theksoi se betejat elektorale nuk mund të fitohen me “politika primitive” dhe se LDK-ja do t’u dalë përballë qasjeve populiste.

“Popullizmit duhet t’i dilet në ballë dhe t’i thirret emri siç është. LDK konsideron se çdo ditë e humbur në lojëra të ulëta politike, çdo zvarritje e qëllimshme e institucioneve, përbën zgjatje të krizës, dëm për buxhetin e Republikës dhe rrezik për stabilitetin institucional e demokratik të vendit,” shtoi Abdixhiku.

Back to top button