
Deputeti Halil Thaçi thotë se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të shkojë në zgjedhje në çdo kohë, ndërsa fajëson opozitën për pamundësimin e krijimit të institucioneve pas 9 shkurtit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka deklaruar se ndër datat e propozuara për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, 28 dhjetori është më e përshtatshmja për subjektin e tij politik. Ai ka theksuar se pavarësisht datës që do të vendoset, Vetëvendosje mbetet e gatshme të shkojë në zgjedhje “kurdoherë”.
“Që të dy opsionet për ne janë në rregull, mirëpo 28 dhjetori sigurisht që është datë më e mirë për zgjedhje. Por, pavarësisht kësaj, ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi deklaruar vazhdimisht se jemi të gatshëm kurdo herë për zgjedhje”, ka thënë Thaçi. Ai shtoi se është për keqardhje fakti që nuk u arrit të krijohet qeveria, duke akuzuar opozitën se ka qëndruar në bllokadë dhe tash duhet të mbajë përgjegjësi para qytetarëve.
I pyetur nëse Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndjen përgjegjësi për rikthimin e vendit në zgjedhje, Thaçi tha se subjekti ka treguar gatishmëri dhe kompromis gjatë gjithë procesit. Ai përmendi si shembuj ofertat për tërheqjen e Albulena Haxhiut dhe Albin Kurtit, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje.
“Në vazhdimësi kemi bërë përpjekje që të ecim tutje dhe të krijojmë institucionet tona. Mirëpo u formua një bllok i opozitës, dhe sot në Kuvend u pa qartë votimi i tyre, pra kundër”, ka deklaruar ai në TeVe1.




