
Aktivistja Zana Avdiu kritikon ashpër kryeministrin e Kosovës për propozimin e ndërtimit të qendrave të azilkërkuesve për Britaninë, duke e quajtur një politikë të turpshme dhe jo humane.
Aktivistja Zana Avdiu ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas raportimeve se ai i ka propozuar Britanisë ndërtimin e qendrave të azilkerkuesve në Kosovë, në këmbim të mbështetjes britanike në fushën e sigurisë.
Sipas Avdiut, ky veprim është “skandaloz” dhe tregon se Kurti ka braktisur parimet e tij të majta e humaniste. Ajo e krahasoi këtë iniciativë me marrëveshjen e ngjashme që Edi Rama nënshkroi me kryeministren italiane Giorgia Meloni për strehimin e emigrantëve afrikanë në Shqipëri.
“Albin Kurti, ndonëse pretendon, nuk është i majtë. Pas marrëveshjes skandaloze me Danimarkën për të burgosurit, tani ka nisur një tjetër projekt po aq skandaloz – propozimin ndaj Britanisë për ndërtimin e qendrave të azilit. Kjo është politikë transaksionale, në stilin e Trumpit”, ka deklaruar Avdiu.
Ajo shtoi se marrëveshje të tilla janë “jo humane, të turpshme dhe krejtësisht të papranueshme”, duke akuzuar Kurtin se po përpiqet të “çajë izolimin ndërkombëtar në të cilin gjendet që gati dy vjet, në kurriz të emigrantëve”.
“Kjo nuk është hera e parë që Kurti bën marrëveshje jo humane. Kujtoni marrëveshjen me Danimarkën, ku pranoi të marrë të burgosur jo danezë në këmbim të parave. Nuk mund të jesh pro grupeve të margjinalizuara në Kosovë dhe njëkohësisht të nënshkruash marrëveshje anti-humaniste”, ka theksuar ajo.
Në fund, Avdiu e përmbylli reagimin me tone kritike: “S’mund të jesh edhe i majtë, edhe me komunitetin LGBT, edhe me qendra izolimi për emigrantët. Ndoshta mundesh, por atëherë zbulohet që s’ke qenë kurrë i vërtetë në bindjet e tua humaniste e të majta.”



