
Halil Matoshi dje ishte vullkan i nxehur. Për një moment ishte aq gjaknxehtë, sa emri që do t’i shkonte përshtati ishte Vullkan Matoshi. E mori gotën në duar dhe e paralajmëroi, me një ton si të kumtonte ndonjë ferman sulltanesk, Xhavit Drenorin se do ta gjuante me gotë.
“Vullkan” Matoshi e shndërroi Xhavitin në “Shënjestër Drenori”. Fatmirësisht, gjithçka përfundoi me një kërcënim live, pa ndonjë pasojë të mënjëhershme fizike për Drenorin.
Në fakt, derisa gazetarët e Gazetës Politika po e shikonin këtë situatë, më shumë druheshin për fatin e ndonjërit prej panelistëve afër Drenorit dhe moderatorit Arben Ahmeti. Meqenëse nuk dihet talenti në shënjestrim dhe gjuajtje i Matoshit, Redaksia e Gazetës Politika për një moment u shtang nga mundësia që dikush tjetër në vend të Drenorit, që ishte targeti i synuar, ta pësonte nga goditja me gotë.
Fatbardhësisht, Matoshi nuk e hodhi gotën, rrjedhimisht as Drenori nuk u lëndua (së paku fizikisht, ngase nuk dihet çfarë lëndimi shpirtëror ka mundur t’i sjellë kërcënimi për hedhje gote i Matoshit), as panelistët e tjerë afër Drenorit nuk u shndërruan në dëme kolaterale.
Sidoqoftë, si erdhi puna deri këtu?
Problemi nisi nga një e metë fundamentale e debateve në Kosovë: kakafonia në studio. Pra një dikush flet, një dikush tjetër i përgjigjet njëkohësisht, një dikush tjetër e nis një temë tjetër dhe një dikush tjetër nuk dëgjon fare.
Pikërisht për këtë çështje u ankua Drenori. Më saktë, Drenori i tha Matoshi se nuk po e dëgjonte derisa po e elaboronte mendimin e tij.
“Unë kur e marr fjalën, ti e ki obligim me m’ngu dej t’kryjë atë dreq fjalie” – kumtoi Drenori.
Në vend që të neutralizonte bisedën, “Vullkan Halili”, pra Matoshi e ndezi debatin sikur te ishte një piroman. Ankesës së Drenorit, Matoshi iu përgjigj me ironi.
“Pasha Zotin po munohna, po s’po mësoj kurgjo prej teje hiç” – u përgjigjMatoshi.
Kjo përgjigje e irritoi Drenorin, i cili nuk e kurseu gjuhën, duke fyer Matoshin.
“Po kush o ka flet për ty, po ty t’u ka trubullu truni more burrë”, ka thënë Drenori.
E nga këtu debati mori një kahje tjetër. Nga fjalët debatuese, u kalua në kërcënime direkte për hedhje gjësendesh. Matoshi rrufeshëm e kapi gotën, duke paralajmëruar zyrtarisht “për herë të fundit” Drenorin.
“Besën e shqiptarit po ta jap, edhe një herë e hap gojën, pa të gju me gotë nuk e la”, ka thënë Matoshi, i cili çuditërisht, ndonëse është kosovaro-centrist, në momentin e kërcënimit e përmendi besën e shqiptarit dhe jo besën e kosovarit
“Faleminderit” – ishte përgjigja e Drenorit.
Megjithatë, asgjë nuk fluturoi, fal ndërhyrjes paqëzuese të moderatorit Ahmeti, ndërhyrje që duhet përshëndetur. Gota qëndroi për pak sekonda në ajër e mbërthyer nga dora e Matoshit. Sidoqoftë, ajo çfarë fluturoi ishte debati i mirëfilltë. Ndoshta, debati i mirëfilltë është një viktimë kolaterale, që pak iu intereson mediave.
Gazeta Politika sugjeron të gjithë qytetarët nën moshën 18-vjeçare që të mos e lexojnë këtë shkrim dhe të mos i shikojnë videot e përplasjes mes Matoshit dhe Drenorit, ngase mund të normalizojë dhunën.




