Rashiq preferon koalicion VV-LDK për formimin e Qeverisë

Nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb thotë se një mazhorancë LVV–LDK do të sillte stabilitet institucional dhe do të përforconte pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq, është shprehur në favor të krijimit të një koalicioni qeverisës mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Në një intervistë për Tëvë1, Rashiq tha se një qeveri e tillë do të siguronte një mazhorancë stabile dhe do të ndihmonte Kosovën të përballet më mirë me sfidat e brendshme dhe ato ndërkombëtare.

“Unë do të isha i gëzuar që të kemi një qeveri dhe një mazhorancë stabile, për shkak të sfidave që kemi dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Do të doja që LVV të bëjë koalicion me LDK-në, sepse atëherë do të kishim një numër më të madh të deputetëve”, tha Rashiq.

Ai shtoi se nëse do të kishte mundësi, do ta inkurajonte kryeministrin Albin Kurti që të konsiderojë një koalicion të tillë, duke theksuar seriozitetin institucional që, sipas tij, kanë treguar të dyja partitë.

Rashiq komentoi gjithashtu edhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila nuk e ka mbështetur në votimin për postin e tij si nënkryetar i Kuvendit.

“Si zakonisht, Lista Serbe është kundër çdo përfshirjeje time në pozita publike, me një organizim brutal. Nuk është befasi prej tyre,” u shpreh ai, duke shtuar se kundërshtimet e tilla nuk do ta pengojnë të kryejë detyrat e tij me përgjegjësi.

Back to top button