Pse është kaq vështirë me ble veturë në Kosovë?

Shitblerja është art në vete. Në botë, sigurisht, ka dhjetëra libra “bestseller” në gjuhë të ndryshme që synojnë t’i ngrenë kapacitetet e agjentëve për shitblerje. Megjithatë, shitblerja e veturës në Kosovë nuk ka të bëjë asgjë me artin e efikasitetit. Në fakt, është art i torturës, që e shpërfaq në të vërtetë atë se çfarë është shoqëria kosovare.
Nëse jeta juaj është e rehatshme, pa turbulenca e krejt në vijë, atëherë ekziston një sferë shoqërore që mund ta shndërrojë përditshmërinë e qetë në ferr të vërtetë. Tashmë besoj e keni kuptuar se cili është burimi i këtij ferri.
Shitblerja e veturës në Kosovë – është fjala për vetura të përdorura – ta jep ndjesinë e kalimit nga një rreth i Dantes në tjetrin. Sa më shumë që e eksploron tregun e veturave, aq më shumë i mëson dredhitë e shitësit të zakonshëm kosovar.
Tregu i veturave është një univers i jashtëzakonshëm, me ligje e rregulla të veçanta, të cilat nuk përkojnë fare me ekonominë e shekullit XXI. Natyrisht, ky shkrim është i bazuar në përvojën time personale si një blerës i ri. Në tregun kosovar të veturave hyra pa ndonjë informacion të hollësishëm, ndërsa tash, kur kanë kaluar më shumë se një muaj, jam edhe më i hutuar se që isha në fillim.
Në shitblerjen e veturave mungon njëra prej veçorive më të zakonshme të tregut: mirëbesimi. Pra, është treg që nuk ndërtohet me bona fide, por me frikën e përhershme të mashtrimit. Blerësi nuk ka asnjë fije besimi në shitësin, i cili është në gjendje të bëjë “be e rrfe” në gjithçka të shenjtë, ndonëse di që po mashtron açik.
Në anën tjetër, shitësi e sheh blerësin jo si një klient potencial, që duhet të shërbehet me mall cilësor, por si një shënjestër për t’u mashtruar. Dy pyetje, që dorën në zemër janë të zakonshme, e përkufizojnë krejt këtë allishverish të gënjeshtërt. “A më garanton për kilometra dhe për aksident” – janë pyetjet që blerësi i trishtuar potencial ia shtron vazhdimisht secilit shitës, i cili pa asnjë fije hezitimi e krejt rrufeshëm të garanton me jetë për të dyja.
Shitësit kosovarë, qoftë persona fizikë apo auto-sallone, të ngjajnë me proverbin e shpatës së Domekleut. Pra, shitësit janë një rrezik i afërt mashtrimi, nga i cili e ke përshtypjen që blerësi nuk shpëton dot. Sot, besoj që secili nga ne do të mashtrohet së paku një herë në jetë nga një shitës i veturave. Është vetëm çështje kohësh kur ne do ta blejmë veturën e aksidentuar si veturë të re.
Nëse nuk je pak vigjilent, mund ta blesh veturën Golf 6 me motor të Golfit 5. Madje, shitësi të shikon drejt në sy dhe me buzëqeshje të lehtë të uron fat në vozitje. Ky është mësimi kryesor që ta jep tregu i veturave në Kosovë. Po nuk e pyete, ka mundësi që shitësi të ofron veturë që është hipotekë në bankë. Pra, kur mungon dora e ligjit dhe sundon mosndëshkueshmëria, atëherë mashtrimi e gënjeshtra bëhen zakon.
Kur jemi te modeli i veturave, ekziston një mit disi i plotfuqishëm rreth veturave të prodhimit gjerman. Me secilin mik që kam biseduar, e kam biseduar me plot njerëz, kam vërejtur një obsesion për veturat e Gjermanisë, ndërsa mospëlqim – nëse jo neveri – ndaj veturave franceze. “Nuk bëjnë Citroeni, Pezhoja dhe Renaulti” – është fjalia e thënë si në kor nga kosovarët. Përgjigjja ime, sa herë që jam ballafaquar me këtë “mit anti-francez”, ka qenë e thjeshtë: pse atëherë Emmanuel Macron, presidenti i Francës, vozit Pezho?
Kosovari është një qenie e dashuruar kokë e këmbë me Gjermaninë. “Made in Germany” është togfjalëshi absolutisht më mbizotërues në tregun e veturave. Në kokën e kosovarit, logoja gjermane e veturës është biletë drejt lumturisë. Duke e parë këmbënguljen e kosovarëve për vetura gjermane, e kam fituar përshtypjen që kosovari më përpara dyshon në ekzistimin e Zotit se në cilësinë e veturave gjermane si Volkswagen, BMW apo Mercedes.
Në fund, të dashur blerës potencialë, çështja nuk është që ta shmangim tërësisht mashtrimin nga shitësit gjatë blerjes së veturave, por ta neutralizojmë mashtrimin. Pra maksima jonë si blerës duhet të jetë e thjeshtë: të mashtrohemi sa më pak. Ky është edhe pozicioni im “filozofik” i panegociueshëm në këtë kohë, kur po kërkoj një veturë.
PS: Shpresoj që shitësit e veturave nuk do ta lexojnë këtë shkrim.



