
Profesori universitar kërkon hetim gazetaresk dhe institucional për motivet e rritjes së pjesëmarrjes pasdite.
Profesori universitar Milazim Krasniqi ka reaguar lidhur me raportimet për rritje të interesimit të qytetarëve për të votuar në orët e pasdites gjatë procesit zgjedhor të 28 dhjetorit.
Duke iu referuar një raporti të Demokracia në Veprim (DnV), të publikuar nga Gazeta Express, ku thuhet se pasdite është shënuar rritje e daljes së votuesve, si dhe se janë raportuar ndërprerje të rrymës në disa vendvotime, Krasniqi ka vënë në pikëpyetje motivet e kësaj pjesëmarrjeje të vonshme.
“Cili është motivi i daljes kaq vonë? Moti është i ftohtë, mundësia e ndaljes së rrymës e madhe, pritje më e gjatë në radhë. Pra, nuk ka logjikë”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, kjo situatë ngre dyshime që, përveç vëzhgimit të zakonshëm, do të duhej të trajtohej më seriozisht. “E pakta gazetaria, nëse jo prokuroria, do të duhej ta ndiqte pistën e nxitjes së këtillë me presion ose me korrupsion”, ka theksuar profesori Krasniqi.



