Çitaku: Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë – brenda katër javësh rishqyrtohet në Kuvend

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kthimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend nuk nënkupton tërheqje nga nisma.

Ajo ka paralajmëruar se ligji do të rishqyrtohet brenda katër javësh dhe më pas do të hyjë në fuqi sipas afateve të përcaktuara.

“Po e them që në fillim, pa lënë vend për dilema: brenda katër javësh, ligji do të rishqyrtohet në Kuvend dhe do të hyjë në fuqi brenda afateve të parashikuara. Ky është zotimi ynë dhe do t’i qëndrojmë deri në fund”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka thënë se i kupton shqetësimet e qytetarëve që e kanë mbështetur ligjin dhe se PDK-ja i mirëpret kritikat e bazuara.

“Por një gjë duhet të jetë e qartë: kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij – dhe as nuk e zbehë atë. Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam”, ka deklaruar ajo.

Sipas Çitakut, katër javët shtesë synojnë heqjen e paqartësive, forcimin e bazës juridike të ligjit dhe sigurimin e zbatimit të tij në praktikë.

“Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dham procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka deklaruar se brenda PDK-së ekziston pajtueshmëri e plotë për jetësimin e ligjit.

“Për PDK-në dhe brenda PDK-së, nuk ka asnjë temë tjetër përveç jetësimit të këtij ligji, për të cilin jemi plotësisht të bashkuar dhe të vendosur”, ka thënë ajo.

“Qytetarëve që protestuan, mbështetësve tanë dhe të gjithë atyre që besuan në këtë nismë u them: zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!”, ka përfunduar Çitaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.