
Ekspertja për Ballkanin në Fondacionin gjerman “Shkenca dhe Politika” thotë se fitorja e LVV-së rrit përgjegjësinë e kryeministrit dhe teston rolin e opozitës.
Pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ekspertja për Ballkanin në Fondacionin gjerman “Shkenca dhe Politika” (SWP) me seli në Bruksel, Frauke Seebass, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë nga procesi zgjedhor me një mandat shumë të fuqishëm politik.
Sipas Seebass, fjalimi i kryeministrit në detyrë dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, pas publikimit të rezultateve, tregon një vetëdije të qartë për përgjegjësinë që rrjedh nga kjo fitore e thellë. Ajo thekson se mbështetja e madhe qytetare e obligon qeverinë e re të tregojë maturi dhe lidership shtetëror në vendimmarrjet e ardhshme.
“Vetëvendosje ka një mandat shumë të fortë, dhe fjalimi i Albin Kurtit mbrëmë tregon një vetëdije për përgjegjësinë që rrjedh nga kjo”, ka deklaruar Seebass.
Ajo shtoi se zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në pranverën e ardhshme do të jenë një test i rëndësishëm për Kurtin, jo vetëm si lider politik, por edhe si burrë shteti. Sipas saj, ky proces do të nxjerrë në pah aftësinë e tij për të ndërtuar konsensus institucional.
Njëkohësisht, Seebass theksoi se edhe opozita do të përballet me një sfidë të madhe pas kësaj humbjeje të qartë elektorale, duke u vënë në provë gatishmëria e saj për të luajtur një rol konstruktiv në skenën politike dhe institucionale të Kosovës.



