DASH sqaron: Pezullimi i vizave për 75 vende, përfshirë Kosovën, nuk prek vizat turistike

Vendimi vlen vetëm për vizat emigruese dhe hyn në fuqi më 21 janar 2026.

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka sqaruar se vendimi për pezullimin e shqyrtimit të aplikimeve për viza për 75 vende, përfshirë Kosovën, nuk ndikon në vizat turistike, por vetëm në vizat emigruese, raporton Reporteri.net.

banner

Në njoftimin zyrtar, DASH thekson se presidenti Donald Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë për taksapaguesit amerikanë.

“Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike,” thuhet në njoftim.

Duke filluar nga 21 janari 2026, DASH do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, si dhe dhjetëra shtete të tjera nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine.

Megjithatë, aplikantët nga këto vende do të kenë të drejtë të dorëzojnë dokumentet dhe të marrin pjesë në intervista, pasi Departamenti do të vazhdojë caktimin e termineve. Por gjatë periudhës së pezullimit, asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet.

Përjashtim nga ky vendim përbëjnë shtetasit me dyshtetësi, të cilët aplikojnë me pasaportë të një vendi që nuk është në listën e prekur.

Sa i përket vizave ekzistuese, DASH sqaron se asnjë vizë e vlefshme nuk do të anulohet si pjesë e këtij vendimi. “Ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese,” thuhet në njoftim.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.