
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, ka dhënë një intervistë për BBC-në.
Në intervistën për mediumin e njohur britanik, Osmani ka komentuar Bordin e Paqes, nisma e presidentit amerikan Donald Trump, ku Kosova është shtet themelues.
“Le të kthehemi pak pas në kohë, 26 vjet më parë. Kosova ishte një vend i shkatërruar nga lufta. Kundër popullit të Kosovës po kryhej gjenocid dhe, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, me mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera demokratike, jetët tona u shpëtuan”, tha Osmani, duke shtuar se ndërhyrja ndërkombëtare i hapi rrugë paqes, lirisë dhe pavarësisë.
“Ishin rezoluta dhe fjalë, por nuk kishte veprim derisa SHBA-ja ndërhyri dhe mobilizoi botën…Jo, nuk bëhet fjalë për zëvendësim të OKB-së. Krejt e kundërta, këto mekanizma mund të punojnë dorë për dore” – ka vlerësuar Osmani.
Presidentja ka pasur fjalë të mëdha për lidershipin në dekada të ShBA-së.
“Nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, jetët tona u shpëtuan dhe na u dha mundësia të jetojmë të lirë,” tha ajo, duke shtuar se brezat e rinj në Kosovë janë të parët që po rriten pa përjetuar luftën.



