
Diplomati i njohur amerikan, Richard Holbrooke, një nga figurat kryesore të diplomacisë amerikane në Ballkan gjatë viteve ’90, e kishte vlerësuar Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, si një udhëheqës të jashtëzakonshëm, duke theksuar se ekzistenca e Kosovës lidhej ngushtë me vizionin dhe këmbënguljen e tij.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, të dhënë pas vdekjes së Rugovës në janar të vitit 2006, Holbrooke kishte deklaruar se populli i Kosovës kishte qenë me fat që kishte pasur një udhëheqës si ai.
“Kosova ndoshta nuk do të ekzistonte sot pa vizionin dhe këmbënguljen e tij”, kishte deklaruar Holbrooke.
Diplomati amerikan, i cili e njihte personalisht Rugovën, kishte kujtuar edhe një detaj simbolik nga takimet e tyre: shallin e njohur të Presidentit të Kosovës.
“Gjithmonë do ta kujtoj që kur e takova, ai kishte shallin e tij të përhershëm dhe tha se nuk do ta hiqte deri kur Kosova të ishte e lirë. Më vonë, kur shkova përsëri në Prishtinë e pashë pa shall në qafë. Ishte diçka e mrekullueshme. Ai ishte një njeri i madh dhe populli i Kosovës ishte me fat që e kishte atë si udhëheqës”, kishte rrëfyer Holbrooke.
Duke folur për të ardhmen e Kosovës pas vdekjes së Rugovës, ai kishte shprehur bindjen se trashëgimia politike e Presidentit do të mbetej e rëndësishme dhe se shqiptarët duhej të bashkoheshin për ta realizuar synimin e tij për pavarësi.
“Shqiptarët e Kosovës kanë një mision historik për të plotësuar. Tani aq më tepër si një nderim ndaj kujtimit të doktor Rugovës”, kishte thënë ai.
Holbrooke kishte theksuar se pavarësia e Kosovës duhej të shoqërohej me garantimin e plotë të të drejtave të komuniteteve pakicë, veçanërisht të serbëve.
Sipas tij, delegacioni kosovar duhej të paraqitej i bashkuar në negociatat për statusin përfundimtar, me një program të qartë për pavarësinë dhe mbrojtjen e të drejtave kulturore, fetare, politike, etnike dhe gjuhësore të të gjitha komuniteteve.
Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara kishte kundërshtuar gjithashtu ndarjen e Kosovës dhe nuk e kishte konsideruar të përshtatshme zbatimin e një modeli të ngjashëm me Marrëveshjen e Dejtonit për Bosnjën.
Ai kishte shprehur besim te ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, Martti Ahtisaari dhe Frank Wisner, duke i vlerësuar si diplomatë me përvojë që mund të ndihmonin në zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës.
Në fund të intervistës, Holbrooke kishte folur edhe për vizionin e tij për të ardhmen e rajonit.
“Ëndrra ime është që Ballkani të jetë një grup vendesh të pavarura, të lidhura në një zonë të përbashkët ekonomike dhe që të futen të gjitha në Bashkimin Evropian përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën dhe Kroacinë”, kishte deklaruar ai.
Intervista ishte dhënë në një periudhë vendimtare për Kosovën, kur vendi po përgatitej për negociatat ndërkombëtare për statusin përfundimtar, të cilat më vonë do t’i hapnin rrugën shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008.



