
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berishës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale dhuna në familje, shkruan KOHA.
Gjykata ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Berishës.
Në njoftimin e Gjykatës thuhet se masa e arrestit shtëpiak është vlerësuar e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale.
“Gjykata erdhi në përfundim se janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit G.B., pasi kjo masë është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës penale”.
Sipas Gjykatës, ky vlerësim është mbështetur edhe në faktin se i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare, ndërsa masa është caktuar në pronën ku e dëmtuara nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë mes tyre.
Gjykata ka obliguar Stacionin Policor në Vushtrri që të zbatojë dhe verifikojë respektimin e kësaj mase, ndërsa në rast të moszbatimit të saj nga i pandehuri, ta njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha, ishte ndaluar për 48 orë nga Prokuroria, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.



