Çitaku reagon për ligjëratën e Gjykatës Speciale në “Xhevdet Doda”: Po tentohet “ri-edukimi” i fëmijëve për UÇK-në

Pas publikimit të një audio-incizimi nga VOX Kosova, ajo akuzon Gjykatën dhe Prokurorinë për ndërhyrje në historinë dhe kujtesën kolektive të nxënësve.

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka reaguar ashpër ndaj mbajtjes së një ligjërate nga përfaqësues të Gjykatës Speciale në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke e cilësuar atë si përpjekje për të ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në narrativën historike që u mësohet të rinjve.

banner

Reagimi i saj vjen pas publikimit të një audio-incizimi nga VOX Kosova, për të cilin ajo thotë se “ka shpërfaqur përfundimisht fytyrën dhe misionin e vërtetë të Gjykatës Speciale”.

Sipas saj, bëhet fjalë për një mekanizëm ku Gjykata dhe Prokuroria veprojnë si një, jo për të vendosur drejtësi, por për të “ri-edukuar” fëmijët e Kosovës lidhur me atë se çfarë ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ajo e ka cilësuar këtë situatë si jashtëzakonisht të rrezikshme dhe ka ngritur shqetësime për mbajtjen e ligjëratave të tilla në shkolla pa dijeninë dhe pa lejen e prindërve.

“Kush janë këta njerëz që marrin guximin t’u flasin fëmijëve tanë për historinë tonë? Kush u ka dhënë të drejtën të ndërhyjnë në kujtesën kolektive dhe në të vërtetën për luftën çlirimtare?”, ka deklaruar ajo.

Sekretarja e PDK-së theksoi se drejtësia duhet të vendoset në gjykatore dhe jo në bankat shkollore, duke paralajmëruar se zhvendosja e saj në klasa rrezikon të kthehet në indoktrinim dhe përpjekje për rishkrim të historisë.

“Drejtësia vendoset në gjykatore, jo në bankat shkollore. Në momentin kur zhvendoset në klasa, ajo pushon së qeni drejtësi”, ka përfunduar ajo.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.