
Aleanca për Kosovën ka reaguar pas lajmit se Kosova ka humbur 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së.
Aleanca e ka quajtur si dëshmi që Qeveria Kurti nuk ka asnjë vizion.
Postimi i plotë:
Kampionë në mashtrim, dështakë në punë: Humbja e 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes është dëshmia e radhës e dështimit të Qeverisë
Përderisa çmimet rriten çdo ditë e bizneset po mbyllin dyert, Qeveria shënon edhe një dështim të radhës, humbjen e 43.8 milionë eurove nga fondet e Bashkimit Evropian.
Kjo është dëshmia e radhës se Qeveria nuk ka asnjë vizion, dije, punë dhe llogaridhënie. Ky pushtet po shkëlqen vetëm në dështim. Kjo qeveri ka dëshmuar se është e zonja vetëm për një gjë, të shkatërrojë çdo shans për zhvillim dhe t’ia vërë vulën përfundimtare të paaftësisë çdo sektori të jetës në vend.
Nga dështimi në ekonominë vendore, te degradimi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe izolimi diplomatik, kjo qeveri tashmë po e vulos edhe zyrtarisht paaftësinë e saj qeverisëse në çdo fushë.
Të humbësh miliona euro fondesh pa kthim në një nga vendet më të varfra të Evropës nuk është gabim apo vonesë burokratike, është papërgjegjshmëri absolute dhe goditje e drejtpërdrejt ndaj të ardhmes së Kosovës.
Për fat të keq, faturën e këtij dështimi total nuk e paguajnë dështakët qeveritar, por qytetarët e Kosovës!



