Hamza kërkon drejtësi të paanshme në Hagë: Vendimi final, provë e ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës

Kryetari i PDK-së thotë se beson në pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe e quan procesin më shumë se një çështje juridike.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas nisjes së fazës përmbyllëse të gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kërkuar që drejtësia ndërkombëtare të veprojë në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar.

banner

Hamza theksoi se vendimi përfundimtar i trupit gjykues do të jetë edhe një provë e “ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës”.

Në një postim publik, ai tha se për më shumë se pesë vjet, të akuzuarit, ekipet e tyre mbrojtëse dhe dëshmitarët kanë qëndruar me dinjitet përballë akuzave.

“Sot nisi faza përmbyllëse e një procesi të gjatë dhe të rëndë gjyqësor në Hagë. Për më shumë se pesë vjet, çlirimtarët tanë, ekipet e tyre mbrojtëse dhe dëshmitarët kryesorë, qëndruan me dinjitet dhe argumente të fuqishme, duke rrëzuar akuzat një nga një”, ka shkruar Hamza.

Ai shtoi se pret që drejtësia ndërkombëtare të marrë një vendim të drejtë dhe të pavarur, ndërsa shprehu besimin në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

“Ky proces nuk përfaqëson vetëm një akt juridik, por është edhe një provë e ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës. Kosova beson! Liri për çlirimtarët!”, përfundon reagimi i tij.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.