
Nëntë ditë para afatit kushtetues mungojnë emrat, programet dhe konsensusi, ndërsa zgjedhja e kreut të shtetit mbetet peng i pazareve politike.
Publicisti Enver Robelli ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit të vendit, duke e cilësuar procesin aktual si një “mjegull presidenciale” ku mungojnë emrat konkretë dhe qartësia politike.
Sipas tij, edhe pse kanë mbetur vetëm nëntë ditë për zgjedhjen e presidentes apo presidentit, ende nuk dihet se kush janë kandidatët potencialë. E vetmja gjë e ditur është se presidentja aktuale synon një mandat të dytë, por, siç thekson ai, ajo nuk i ka 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim. Po ashtu, mungojnë deklarimet e qarta nga partitë politike për mbështetjen e ndonjë kandidati apo kandidateje.
Robelli vëren se publiku nuk ka asnjë informacion për biografinë, orientimin politik apo qëndrimet e kandidatëve të mundshëm për çështjet kryesore shtetërore. Në këtë situatë, qytetarët, sipas tij, mbeten spektatorë të një “manezhi politik”, duke pritur që në momentin e fundit të dalë një “çudibërës” dhe të nxjerrë kandidatin nga cilindri.
Duke bërë një bilanc të përvojës që nga shpallja e pavarësisë, ai kujton se dy presidentë janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa në një rast bashkësia ndërkombëtare është detyruar të propozojë vetë një kandidate për të shmangur krizën politike. Sipas tij, këto zhvillime nuk e kanë forcuar pozitën e presidentit në sytë e qytetarëve.
Robelli paralajmëron se zgjedhja e presidentit është shndërruar në një “bombë atomike” që mund të rrëzojë qeverinë nëse procesi dështon në Kuvend, madje edhe pak javë pas zgjedhjeve parlamentare. Ai thekson se Kosova ndodhet pikërisht në një situatë të tillë.
Si zgjidhje, ai propozon ndryshimin e Kushtetutës në mënyrë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, për të shmangur pazaret politike dhe krizat e përsëritura. Sipas tij, është e habitshme që liderët partiakë nuk po e diskutojnë këtë çështje tani, pasi edhe pas pesë vitesh vendi mund të përballet me të njëjtën situatë – me një kandidat të nxjerrë në momentin e fundit si “lepur” nga cilindri.



