
Kreu i PSD-së akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se po drejton diskursin publik dhe i bën thirrje opozitës të mos ndjekë agjendën e Qeverisë.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka deklaruar se përfshirja e familjes Jashari në diskutimet për emrin e presidentit ka qenë, sipas tij, një formë shantazhi nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani.
Molliqaj ka bërë thirrje që partitë që nuk pajtohen me Qeverinë të mos ndjekin, siç u shpreh ai, agjendën e saj dhe të mos bien në “skenarët që i përcakton pushteti”.
“Kontributi më i madh që mund ta bëjmë për Kosovën është të mos e ndjekim agjendën e Qeverisë së Kosovës. Përndryshe, diskursi publik po drejtohet nga ata. Opozitarët po dëmtohen më së shumti, sepse po japin deklarata kontradiktore”, ka thënë Molliqaj.
Ai shtoi se opozita nuk duhet të përfshihet në debate për emra të përveçëm pa pasur një kandidat zyrtar dhe kritere të qarta, duke theksuar se, sipas tij, kjo situatë ka shërbyer për të ushtruar presion politik dhe për të orientuar debatin publik në favor të pushtetit.



