
Aktivisti nga SHBA thotë se ish-presidenti është figura më e nevojshme për vendin, pavarësisht paraburgimit në Hagë.
Aktivisti kosovar që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, ka folur për çështjen e presidentit të Kosovës, duke theksuar se sipas tij, figura më e nevojshme aktualisht për vendin është ish-presidenti Hashim Thaçi.
Në “Edicionin Special” të Klan Kosova, Lushi deklaroi se vetëm Thaçi mund ta shpëtojë Kosovën në këtë fazë politike, ndonëse ai aktualisht po mbahet në paraburgim në Hagë.
Sipas tij, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm demokratik, pavarësisht ngërçeve politike që kanë ndodhur. Ai tha se institucionet tashmë janë formuar dhe se partitë politike, si dhe qytetarët, duhet të kenë kuptuar se nuk ka më vend për “lojëra të politikës ditore”.
Lushi e konsideroi si çështje me rëndësi të veçantë situatën e ish-udhëheqësve të Kosovës në Gjykatën Speciale, duke shtuar se megjithëse në Kosovë ka dhjetëra persona që e meritojnë dhe kualifikohen për postin e kreut të shtetit, aktualisht më i përshtatshmi dhe më i nevojshmi, sipas tij, është pikërisht Thaçi.
Ai theksoi se dorëheqja e Thaçit nga posti i presidentit ishte një veprim në funksion të mbrojtjes së institucioneve të vendit dhe se tani është koha që, sipas tij, Kosova të thotë “mjaft” për atë që ai e quajti një president “që në një mënyrë u vodh nga institucioni i Kosovës”.



