
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson solidaritetin me popullin iranian dhe aspiratat e tij për liri dhe demokraci.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar përmes një deklarate publike se mbështet sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit. Regjimin iranian, sipas deklaratës, e ka përshkruar si një entitet që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
“Ne qëndrojmë krah presidentit [amerikan] Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci. Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje”, thuhet në deklaratë.
Deklarata shton gjithashtu se Kosova solidarizohet me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike.
Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Iranin, pasi ky i fundit nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.



