
Ekonomistja thotë se nuk ka biseduar me asnjë përfaqësues të PDK-së për postin e presidentit dhe se ndihet mirë në pozitën aktuale në Akademi.
Emri i Justina Pulës është lakuar sot në media si e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për postin e Presidentes së Kosovës.
Lidhur me këto raportime, ka reaguar vetë Pula, duke mohuar se ka pasur ndonjë komunikim me përfaqësues të PDK-së për një kandidaturë të mundshme.
“Asnjë anëtar i PDK-së nuk ka biseduar me mua për postin e presidentit, prandaj nuk e di pse po qarkullon ky emër kur nuk e kanë marrë miratimin tim”, ka deklaruar Pula për Klan Kosova.
Ajo ka theksuar se aktualisht është e përkushtuar në angazhimin e saj profesional dhe se ndihet mirë në pozitën që mban.
“Jam shumë mirë në Akademi, jam ekonomiste, merrem me hulumtime shkencore, jam mirë në këtë pozitë”, është shprehur Pula.
Zgjedhja e presidentit ka nxitur diskutime dhe spekulime në skenën politike, ndërsa deri më tani nuk ka një kandidat zyrtar të konfirmuar nga partitë parlamentare.



