
Analisti Agon Maliqi ka thënë se të dhënat e para nga zgjedhjet parlamentare në Serbi tregojnë për pjesëmarrje të lartë të votuesve, të cilën e ka cilësuar si sinjal të pafavorshëm për presidentin Aleksandar Vuçiq.
Maliqi u ka bërë thirrje qytetarëve që, për të ndjekur pjesëmarrjen, t’u referohen kanaleve zyrtare të CRTA-s, organizatës që e ka cilësuar si organizatën joqeveritare më kredibile për zgjedhjet në Serbi.
Ai ka paralajmëruar se, sipas tij, sa më i ngushtë të jetë rezultati, aq më të mëdha janë mundësitë për manipulime dhe dhunë.
“Vuçiq me bandat e tij nuk dorëzohen lehtë, kështu që sa më i afërt rezultati, aq më të larta mundësitë për manipulime dhe dhunë”, ka shkruar Maliqi.
Sipas tij, një nga skenarët e mundshëm është që Kuvendi i Serbisë të përbëhet kryesisht nga Lista e Studentëve dhe Partia Progresive Serbe (SNS), krahas përfaqësuesve të pakicave kombëtare. Maliqi ka vlerësuar gjithashtu se, me pjesëmarrjen e raportuar, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Ivica Daçiqit mund të mos e kalojë pragun zgjedhor.
Maliqi ka thënë se humbja e Vuçiqit do të ishte zhvillim pozitiv për demokracinë në rajon dhe në Evropë, por ka paralajmëruar se Serbia mund të përballet me jostabilitet edhe pas zgjedhjeve.
Ai e ka përshkruar Listën e Studentëve si strukturë heterogjene, pa lidership të qartë, dhe ka vënë në pikëpyetje aftësinë e saj për të qeverisur përballë aparatit shtetëror që, sipas tij, është kapur nga regjimi aktual. Maliqi ka shtuar se kjo listë nuk parasheh shkëputje nga kursi aktual i politikës së jashtme të Serbisë.
Në fund, ai ka thënë se zhvillimet e dy viteve të fundit në Serbi mund të shërbejnë si shembull për studentët dhe partitë e vogla në Shqipëri, duke theksuar se kundërshtimi i sistemit duhet të shndërrohet në ofertë politike dhe të marrë legjitimitet përmes votës.



