
Kreu i LDK-së thotë se do të nisë një projekt të madh politik e qytetar për bashkimin e institucionalistëve dhe për orientimin euroatlantik të vendit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për një bashkim të gjerë politik dhe qytetar, duke theksuar se vendi ka nevojë për një projekt të përbashkët që tejkalon dallimet politike.
Në një deklarim publik, Abdixhiku tha se bashkimi duhet të përfshijë institucionalistët, mbështetësit e Republikës dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën euroatlantike të Kosovës.
Sipas tij, të gjithë këta e kanë një shtëpi të përbashkët politike – LDK-në.
“Prandaj do të nis bashkimin e madh politik e qytetar rreth një projekti të përbashkët. Një projekti që tejkalon secilin prej nesh, që tejkalon dallimet e vogla, ambiciet e mëdha dhe hidhërimet e së shkuarës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai theksoi se krizat e vazhdueshme politike dhe përplasjet e brendshme po e lodhin vendin, duke shtuar se Kosovës i duhet një rrëfim i ri politik që bashkon dhe stabilizon jetën institucionale.
Sipas Abdixhikut, ky projekt duhet të kontribuojë në zhvillimin e shtetit dhe në forcimin e orientimit të tij drejt Perëndimit. “Dramat e sotme, krizat e përvitshme dhe fajësimet e pandalshme po e shterojnë Kosovën. Vendit i duhet një tjetër rrëfim – një rrëfim që bashkon, që normalizon jetën politike, që zhvillon shtetin dhe e ankoron përgjithmonë në Perëndim”, ka theksuar ai.



