Shpërthimi në lokalin “Sekiraqa”, të gjithë të akuzuarit lirohen nga akuza

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykim lirues për të gjithë të akuzuarit në rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraqa”, ngjarje që kishte ndodhur më 24 shtator 2007 dhe ku kishin humbur jetën dy persona.

Me vendimin e gjykatës, nga akuzat janë liruar Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi, Mehmet Mehmeti dhe Afet Dalloshi. Trupi gjykues ka vendosur që shpenzimet e procedurës penale të bien mbi gjykatën.

banner

Në këtë rast Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen se më 24 shtator 2007 në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, pretendohet se kishin vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë. Si pasojë e këtij shpërthimi kishin humbur jetën N.M., dhe P.S., dhe ishin lënduar disa persona të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Hasani dhe Qerimi janë gjykuar dhe dënuar në një proces tjetër gjyqësor.

Ndryshe, gjykata e shkallës së parë, më 29 korrik të vitit 2016, shtatë të akuzuarit i kishte liruar nga akuzat për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.

Por, ky rast ishte kthyer në rigjykim në prill të vitit 2017, nga Gjykata e Apelit, pas ankesës së Prokurorisë, se vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk ishte i drejtë. Gjetjet e gjykatës së shkallës së parë se moszbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, sipas Apelit kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 22 gusht 2014, saktësisht nga prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, ngarkon Bejtullah Mehmetin, Luan Qerkinin, Bekim Sumën, Fadil Sadikun, Afet Dalloshin, Arbresh Dalipin dhe Mehmet Mehmetin.

Në pikën e parë, të akuzuarit ngarkohen se më 24 shtator 2007, Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje më Besnik Hasanin, Shpend Qerimin (të dy këta të dënuar tashmë për të njëjtën vepër penale) dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive të tjera të ulëta, dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, privuan nga jeta N.M., dhe P.S,.

Sipas aktakuzës, kjo ndodhi duke vendosur dhe shpërthyer një mjet plasës të improvizuar në katin përdhesë në objektin e lokalit “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë.

Me këtë akuzohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” në shkelje të neneve 23 dhe 147, par.4, 9 dhe 11 të Kodit Penal të Kosovës.

Aty thuhet se pas një historie të gjatë dhune ndërmjet policisë në Ferizaj, policëve të Njësisë ROSU dhe Enver Sekiraqës, dhe pas vrasjes  së policit Triumf Riza, vrasje e cila në aktakuzë thuhet se “besohet të jetë urdhëruar nga Enver Sekiraqa”, Policia e Ferizajt bashkë me policët e Njësisë ROSU planifikuan hakmarrje kundër Sekiraqës, duke hedhur në erë me bombë lokalin e tij në Prishtinë. Lokali thuhet se ndodhej në një zonë të populluar banesore, që ishte plotë me bare e restorante. Kurse, bomba thuhet se u vendos në muajin e Ramazanit më 24 shtator 2007, kur lokalet ishin të hapura për njerëzit që bënin syfyrin. Madhësia e bombës, vendi i vendosjes së saj dhe koha e shpërthimit, thuhet se do të thoshte se të pandehurit kishin për qëllim të vrisnin.

Në pikën e dytë të aktakuzës, thuhet se Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin dhe gjithashtu në bashkëkryeje me tani të dënuarit për të njëjtën vepër penale, Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin, si dhe me ndihmën e Afet Dalloshit, për hakmarrje të paskurpullt ose për motive tjera të ulëta dhe duke rrezikuar me dashje jetën e një ose më shumë personave, ndërmorën veprim të menjëhershëm për të privuar nga jeta Xh.S., V.Z., L.N., G.S., E.N., N.H., F.B., L.K., Sh.S., M.K dhe T.K., duke vendosur dhe shpërthyer mjetin plaës në lokalin “Sekiraqa”, duke u shkaktuar lëndime të rënda personave të lartpërmendur.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.