
Analisti kritikon Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për mosveprim ndaj rritjes së çmimeve.
Analisti Shenoll Muharremi ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, duke e akuzuar për mosreagim ndaj rritjes së çmimeve të naftës dhe produkteve të tjera bazë.
Në një reagim në Facebook, Muharremi ka vlerësuar se çdo ditë po konfirmohet, sipas tij, se Lëvizja Vetëvendosje synon ta mbajë qytetarin në gjendje të rëndë ekonomike.
Ai ka shkuar edhe më tej, duke pretenduar se qëllimi i qeverisë është që përmes ndihmave financiare të vogla të sigurojë votat e qytetarëve.
“Po konfirmohet që Albin Kurti dhe LVV e dëshirojnë qytetarin sa më të varfër, që kur t’ia japin 100 euro lëmoshë, të sigurohen që ia blejnë votën”, ka shkruar ai.
Muharremi gjithashtu ka kritikuar mungesën e masave konkrete për menaxhimin e krizës së çmimeve, duke theksuar se kjo situatë po rëndon çdo ditë më shumë buxhetin e familjeve dhe po rrit borxhet e qytetarëve.
Sipas tij, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme, qeveria nuk ka ndërmarrë hapa për të lehtësuar barrën ekonomike të qytetarëve në këtë periudhë.



