
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt, duke kërkuar hetim të plotë dhe të pavarur për mënyrën se si institucionet e trajtuan kërkesën e saj për mbrojtje.
Abdixhiku ka thënë se Arlinda, tri ditë para se të vritej, e kishte paralajmëruar Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj.
“Arlinda kërkoi të jetonte. Kërkoi mbrojtje nga shteti. Tri ditë para se të vritej, e paralajmëroi Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj. Sot, letra e saj është këtu. Arlinda nuk është më. Ajo u vra mbrëmë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se është e padurueshme të lexohen fjalët e një gruaje që kërkonte ndihmë, ndërsa zëri i saj nuk u dëgjua nga institucionet.
“Është e padurueshme të lexosh fjalët e një gruaje që kërkon ndihmë, teksa ndjenë pafuqinë e zanit të saj. Ato fjalë godasin secilin prej nesh, si prind, si vëlla, si fëmijë, si bashkëqytetar. Një grua kishte frikë për jetë dhe u la vet!”, ka deklaruar ai.
Kreu i LDK-së ka kërkuar që secili zyrtar dhe institucion që është marrë me rastin të japë llogari për veprimet dhe mosveprimet e veta.
“Për këtë rast LDK kërkon hetim të plotë dhe të pavarur të çdo veprimi e mosveprimi në mbrojtje të saj. Secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet që ka lënë pa përmbushur. Përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës, duke theksuar se Arlindës i detyrohej mbrojtje sa ishte gjallë, ndërsa tani i detyrohet drejtësi.
“Asaj i detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë. Për të gjallë, mbrojtje nuk pati! Tani i detyrohemi drejtësi; me gjithë zhvlerësimin paralajmërues që në letër na e dha. Dhe çdo gruaje tjetër që sot jeton me frikë, i detyrohemi veprim. Sot, para se një tjetër kërkesë për ndihmë të na mbetet në duar si dëshmi e një jete që nuk e mbrojtëm”, ka përfunduar Abdixhiku.



