
Ndeshja vendimtare e play-offit ndiqet nga mediat ndërkombëtare, ndërsa edhe krerët e UÇK-së në Hagë kanë mundësi ta shikojnë.
Përfaqësuesja e Kosovës sonte zhvillon një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj, përballë Turqisë, në kuadër të play-offit për kualifikim në Kampionatin Botëror në Futboll.
E gjithë vëmendja është përqendruar te kjo përballje, e cila pritet të përcaktojë ekipin që siguron një vend në Botëror. Interesimi është i jashtëzakonshëm, si në mediat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare, të cilat po i kushtojnë hapësirë të madhe kësaj sfide historike.
Sipas raportimeve, ndeshjen do të kenë mundësi ta ndjekin edhe ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës që ndodhen në Hagë, pasi Gjykata Speciale ka bërë të ditur se të akuzuarit kanë qasje në televizione me kanale në gjuhën shqipe dhe mund të zgjedhin vetë çfarë të shikojnë.
Ndërkohë, mediat më prestigjioze botërore kanë raportuar për këtë përballje. Reuters e ka cilësuar sfidën si një mundësi për “Kosovën e vogël” që të shkruajë histori në Kupën e Botës, duke përshkruar rrugëtimin e ekipit deri në finalen e play-offit.
Për Kosovën kanë shkruar gjithashtu edhe BBC, The Guardian, si dhe media të tjera ndërkombëtare. Një artikull të veçantë i ka kushtuar edhe gazeta italiane Corriere dello Sport, e cila e ka përshkruar ekipin si një përzierje të diasporës dhe lojtarëve vendas, me identitet dhe motivim të veçantë.
Trajneri i Kosovës, Franco Foda, është shprehur optimist para ndeshjes, duke vlerësuar se përballja është e balancuar. “Jemi në finale me plot meritë, gjasat janë 50-50 dhe do të japim gjithçka për fitore”, ka thënë ai, duke shtuar se ekipi është i përgatitur për çdo skenar, përfshirë kohën shtesë dhe penalltitë.
Nga ana tjetër, kapiteni Vedat Muriqi është shprehur krenar për këtë moment historik, duke theksuar se skuadra ka atmosferë të mirë dhe është e fokusuar për sukses.
Ndeshja Kosovë–Turqi zhvillohet sonte nga ora 20:45, në një mbrëmje që mund të shënojë një kapitull të ri në historinë e futbollit kosovar.



