
Avni Dehari, babai i Astrit Deharit dhe deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ka komentuar kritikat ndaj partisë në pushtet për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vdekjes së të birit.
Në dhjetëvjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, ai ka deklaruar në “Debat Plus” se Qeveria nuk mund të ndërhyjë në punën e Prokurorisë.
“Shumë gazetarë, me qëllim apo pa, e kanë shtruar pyetjen pse tash VV-ja që është në pushtet, përpara e ka ngritur zërin, ndërsa tash nuk po bën asgjë për zbardhjen e rastit. Unë mendoj që kjo ka një prapavijë”, ka thënë Dehari.
Ai ka vlerësuar se këto pyetje lidhen me akuzat e mëhershme ndaj udhëheqësve të VV-së, përfshirë Albin Kurtin, për përgjegjësi politike rreth rastit.
“Mirëpo, e dinë që prokurorët kanë pushtet të pavarur prej Qeverisë”, ka deklaruar ai.
Dehari ka pretenduar se pushtetet e mëparshme ndërhynin në punën e Prokurorisë, ndërsa ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur gjatë qeverisjes aktuale.
Ai ka përmendur edhe ish-ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për të cilën tha se nuk ka ndërhyrë në punën e prokurorëve, por ka kërkuar zbardhjen e rastit.
Rasti i vdekjes së Astrit Deharit vazhdon të jetë nën trajtimin e institucioneve të drejtësisë. Pretendimet e ngritura nga Avni Dehari për ndërhyrje politike në të kaluarën janë qëndrime të tij dhe nuk janë vërtetuar me vendim gjyqësor.



