
Ministrja u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë pikat e karburantit që e tejkalojnë çmimin e lejuar.
Ministrja e Ministrisë s Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar nga foltorja e Kuvendit të Kosovës se çmimi maksimal i lejuar për shitjen e naftës, sipas marzhës së përcaktuar, është 1.83 euro për litër.
Gjatë fjalimit të saj, Kusari-Lila u bëri thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo rast kur pikat e karburantit e tejkalojnë këtë çmim.
“Zyrtarisht sot nafta, sipas marzhës së përcaktuar, mund të shitet me çmimin më të lartë 1.83 euro. Kudo që sot është mbi 1.83 apo 1.84 e më sipër, i lus qytetarët që ta paraqesin rastin në mënyrë që të ndërmerren masa,” u shpreh ajo.
Ministrja theksoi se institucionet do të ndërmarrin veprime në rastet kur konstatohet shkelje e çmimit maksimal të lejuar për derivatet e naftës.



