
Kryeministri Albin Kurti ka veçuar Sokol Zymberin dhe Jetlum Bunjakun gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës.
Dy policët e rinj janë djemtë e heronjve Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku, të cilët ranë në krye të detyrës duke i shërbyer Kosovës.
Kurti u ka thënë atyre se Qeveria e Kosovës do t’u qëndrojë gjithmonë përkrah në rrugën e shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve.
“Qeverinë do ta keni gjithmonë përkrah”, ishte mesazhi i kryeministrit për dy policët e rinj.
Sokol Zymberi e veshi uniformën e Policisë 15 vjet pas rënies së babait të tij, Enver Zymberi. Ndërkaq, Jetlum Bunjaku iu bashkua Policisë tre vjet pas vrasjes së babait të tij, Afrim Bunjaku, në sulmin terrorist në Banjskë.
Sokoli dhe Jetlumi janë pjesë e 397 kadetëve të diplomuar nga gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës. Prej tyre, 118 janë gra dhe 279 burra.



