
Në mesin e pjesëtarëve të rinj të Policisë së Kosovës, të diplomuar në kuadër të gjeneratës së 63-të, janë edhe djemtë e dy policëve të rënë në krye të detyrës, Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku.
Sokol Zymberi është bërë pjesëtar i Policisë së Kosovës 15 vjet pas rënies së babait të tij, heroit Enver Zyberi, në krye të detyrës.
Uniformën e Policisë e ka veshur edhe Jetlum Bunjaku, tre vjet pas vrasjes së babait të tij, rreshterit Afrim Bunjaku. Ky i fundit u vra gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
Komandanti policor Amir Gërguri i ka uruar policët e rinj, duke thënë se bijtë po vazhdojnë amanetin e baballarëve të tyre.
“Baballarët ranë për Kosovën, bijtë vazhdojnë amanetin e tyre! Urime diplomimi! Ju priftë e mbara në rrugën e shërbimit ndaj atdheut dhe qytetarëve! Lavdia e heronjve nuk shuhet kurrë!”, ka shkruar Gërguri.
Në ceremoninë e diplomimit morën pjesë drejtues të institucioneve të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, kryeprokurorin e Shtetit Zejnullah Gashi dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Fehmi Hoti.
Policia e Kosovës është themeluar në vitin 1999.



