
Kreu i LDK-së nderon dëshmorët e betejës së Koshares, duke theksuar se liria nuk mbahet vetëm me kujtime, por me përgjegjësi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kujtuar betejën e Koshares, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të lavdishme të historisë shqiptare.
Abdixhiku tha se në Koshare historia nuk është shkruar, por është “çarë”, duke iu referuar thyerjes së kufirit nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në Koshare, historia nuk është shkruar. Është çarë. Mu siç u ça edhe një kufi që djemtë tanë më të mirë refuzuan ta pranojnë si fakt historik”, u shpreh ai.
Sipas tij, kufiri i vendosur nga pushtuesi nuk mund të bëhet pjesë e identitetit të një populli, pavarësisht se mund të vendoset me dhunë apo të ruhet me armë.
“Kufiri i pushtuesit është vetëm një vijë. Pa rrënjë në shpirt, pa vend në kujtesë, pa forcë mbi përkatësinë. Ai mund të vendoset me dhunë, të ruhet me armë, të vizatohet në harra e letra; por nuk bëhet kurrë pjesë e asaj që jemi”, theksoi Abdixhiku.
Ai rikujtoi se në mëngjesin e 9 prillit, 27 vite më parë, luftëtarët e UÇK-së nisën një nga betejat më të rëndësishme të luftës për liri.
“Liria nuk lind kur lejohet; lind kur merret”, tha Abdixhiku.
Në përfundim, ai nderoi të rënët e betejës së Koshares dhe falënderoi të gjithë ata që luftuan për lirinë e vendit.
“Lavdi përjetë dëshmorëve të Koshares”, përfundoi Abdixhiku.



