
Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën e Londrës për Mbrojtje.
Siç bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, duke folur për luftën hibride, Kurti ka thënë se ajo nuk është zëvendësim i luftës klasike por vetëm fazë përgatitore për të. Ai ka shtuar se ajo është bërë normë kudo dhe se në ditët e sotme është lajm nëse nuk ka luftë hibride në ndonjë rund zgjedhjesh, transmeton KOHA.
“Nuk ka arsye për shumë relaksim, si të thuash, sepse Serbia është një ‘proxy’ i Rusisë dhe atje janë 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit të shtetit tim. Të gjitha janë në atë që quhet zonë e sigurisë e NATO-s. Kremlini ka një zyrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, në Beograd dhe Qendrat Rajonale të Russia Today dhe Sputnik për Ballkan janë në Serbi”, tha ai.
Duke folur në kontekst të agresionit rus dhe sfidave të sigurisë për Evropën, Kurti ka deklaruar se Ukraina është një mundësi që Evropa të bashkohet në një nivel tjetër.
“Mendoj që nëse Bashkimi Evropian arrin të menaxhojë beteja të caktuara në këtë dekadë, dekada e ardhshme lehtë mund të jetë dekada e BE-së. Këtu jam shumë optimist që të dyja NATO-ja, veçmas Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, mund të luajnë një rol të madh”, ka shtuar ai.
Kurti, po ashtu, ka folur për rëndësinë e zhvillimit të industrisë ushtarake, përkatësisht prodhimit të armëve dhe municionit, si dhe atë të edukimit të të rinjve.
“Ajo çfarë bëj në vendin tim, Republikën e Kosovës, është angazhimi me të rinjtë. Është shumë e rëndësishme që të angazhohemi me të rinjtë, sepse po e humbasim kontaktin. Hapësira ndërmjet gjeneratave është problematike dhe lufta hibride mund të jetë fatale”, ka thënë ai.



