
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), gjegjësisht Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar 18 gjoba ndaj KEDS-it, në vlerë totale prej 90 mijë eurosh, për shkak se për 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë.
Në njoftimin e Ministrisë thuhet se gjatë muajit prill, ka vazhduar verifikimi i ankesave të konsumatorëve në lidhje me parregullsitë në njehsorët elektrikë.
Tutje thuhet se komisioni ad hock, i themeluar posaçërisht për këtë problematikë, ka pranuar 574 ankesa të mbështetura me dëshmi për devijime në orë dhe datë.
“Gjatë kësaj periudhe kohore, nga konsumatorët janë tërhequr 54 njehsorë elektrikë në 7 rajone të Republikës së Kosovës, të cilët i janë nënshtruar testimit laboratorik në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës (AMK), ku në 38 prej tyre janë konstatuar devijime kohore, ndërsa në 18 njehsorë të verifikuar është konstatuar se u kishte skaduar afati i vlefshmërisë”, thuhet në njoftim.
Ankesat e konsumatorëve, të mbështetura me dëshmi për devijime kohore thuhet se janë duke u përcjellë në KESCO, nga e cila kërkohet kompensim i menjëhershëm për konsumatorët e dëmtuar.
Raportet zyrtare nga komisioni verifikues thuhet se do të dorëzohen edhe në organet e drejtësisë si prova për zhvillimin e procedurave hetimore të nisura.
Gjatë muajit prill Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë për të ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët elektrikë të KEDS-it, për të cilët ekziston dyshimi se nuk bëjnë matjen e saktë të energjisë elektrike të shpenzuar.
Dyshimet u riaktualizuan nga LDK-ja, sekretari organizativ i së cilës, Visar Azemi, bëri të ditur se pas një hulumtimi ka dalë se 87% e njehsorëve regjistrojnë rrymën në kohë të pasaktë.
Pas kësaj, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit krijoi një komisionin, i cili ka konstatuar edhe njehsorë me afat të skaduar të vlefshmërisë e edhe devijim të orës, krahasuar me kohën reale.
Në KEDS kanë insistuar se njehsorët matin saktë konsumin e energjisë, dhe kanë theksuar se devijimet e mundshme lidhen vetëm me datën dhe kohën.
Çmimi i energjisë elektrike në Kosovë ndryshon varësisht nga koha e shpenzimit.
Tarifa e lartë shfrytëzohet gjatë ditës dhe tarifa e ulët gjatë natës. Kjo e fundit, gjatë dimrit aplikohet në periudhën 22:00–07:00, ndërsa gjatë verës nga ora 23:00–08:00.
Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë (kËh) paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa 15.43 euro nëse e tejkalojnë këtë prag.
Gjatë tarifës së ulët, konsumatorët e paguajnë 3.88 euro kilovatin, ndërsa 7.28 euro nëse e tejkalojnë shifrën prej 800 kilovatësh.
KEDS-i i ka mohuar shkeljet, duke thënë se mospërputhjet janë çështje teknike dhe jo manipulim.
Sipas KEDS-it, nëse kalimi në tarifë është bërë me disa minuta vonesë, atëherë edhe ka përfunduar më vonë.



