
Situata në Skenderaj është tensionuar gjatë orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, pasi forca të shtuara policore dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale kanë zbarkuar në këtë komunë.
Prania e policisë bëri që shumë qytetarë të mblidhen fillimisht afër stacionit policor e më pas edhe pranë objektit të Komunës së Skenderajt, duke paralajmëruar se nuk do të shpërndahen derisa Njësia Speciale të largohet.
Gazetarja e Klan Kosovës, Diellza Berisha, raportoi nga vendi i ngjarjes se situata ishte e qetë, por me prani të shtuar të forcave policore.
“Aktualisht është qetë, përveçse forca operative e Njësisë Speciale ka zbarkuar në afërsi të stacionit policor në Skenderaj”, deklaroi ajo.
Sipas raportimit, lidhur me rastin janë intervistuar dy persona të dëmtuar dhe pesë dëshmitarë, ndërsa në mesin e të dyshuarve është përmendur edhe kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili sipas raportimeve nuk i është përgjigjur ftesës së prokurorisë.
Lidhur me situatën reagoi ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila e cilësoi praninë e Njësisë Speciale si “provokim direkt” nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Skenderajn nuk e ka nënshtru as krajli e as sulltani, e nuk ka me e nënshtru as Albin Kurti”, deklaroi Musliu.
Ajo madje telefonoi policinë para mediave për të kërkuar sqarime rreth pranisë së forcave speciale. Në përgjigjen e policisë u tha se bëhej fjalë për një plan operativ për shkak të shtimit të qarkullimit gjatë sezonit veror.
“Një pjesë e Njësisë Speciale e kanë vetëm plan operativ për shkak se është vera duke u afruar dhe ka më shumë qarkullim të automjeteve”, thuhej në përgjigjen e policisë.
Por Musliu e quajti këtë “tallje me qytetarët e Skenderajt”.
Ndërkohë, edhe ish-deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, reagoi duke deklaruar se situata “nuk i shërben as drejtësisë, as sigurisë, as qetësisë publike”, ndërsa më pas iu bashkua qytetarëve të mbledhur në Skenderaj.
Njëri nga qytetarët e pranishëm, Shqiptar Gubetini, deklaroi për Klan Kosovën se qytetarët mund të qëndrojnë deri në mëngjes nëse Njësia Speciale nuk largohet.
“Më mirë ka qenë Njësia Speciale me u largu, edhe qytetarët me shku me pushu në shtëpia”, tha ai.
Më vonë gjatë natës, forcat speciale policore u larguan nga Skenderaj, ndërsa pas tërheqjes së tyre filluan të shpërndahen edhe qytetarët e mbledhur në qytet.



